Gjergj Vyshka 06.01.2016 07:55
Gerti Shima është përforcimi tjetër i SIGAL Prishtinës, njoftojnë mediat në Kosovë. Basketbollisti shqiptar kaloi nga Bashkimi te skuadra kryeqytetase. Për Shimën është një rikthim te Prishtina ku është aktivizuar nga viti 2006 deri në 2008. Basketbollisti 29-vjeçari i bashkohet skuadrës së re dhe është afrimi i tretë.
Kampionët në fuqi të Ballkanit, që kanë edhe një trajner të ri, Antonis Konstantindesin, janë përforcuar edhe me dy basketbollistë amerikanë që nisën stërvitjen me ekipin. Fjala është për Endrju Uorrën dhe Uilli Kemp. “Është një sfidë e madhe për mua, por jam plotësisht i gatshëm të punoj te Prishtina”, – tha trajneri i ri i kryeqytetasve.
“Nuk jemi në pozicion të mirë krahasuar me të shkuarën, pasi jemi prapa si në kampionat, ashtu edhe në Ligën Ballkanike. Por do të punojmë dhe do të luftojmë për të fituar tre trofetë deri në fund të edicionit”, – përfundoi Konstantindes në një konferencë për shtyp.
SIGAL Prishtina do të zhvillojë ndeshjen e parë për këtë vit nesër ndaj bullgarëve të Beroes në Ligën Ballkanike.