AlbanianSport.com 11.01.2015 18:35
ASNN – Në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të vitit 2014, Federata e Futbollit të Kosovës kishte ftuar disa mysafirë në këtë mbrëmje, përfshirë këtu edhe bashkëpunëtorin Zherom Shampanjë, ministrin e Sportit, Kujtim Shala, por edhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Por në të mungoi kreu i futbollit malazez, Dejan Saviçeviç. Megjithatë, Federata e Futbollit të Malit të Zi e kishte dërguar një përfaqësues, Radomor Mikan Zecin, i cili njëherësh është pronar i hotelit “Olympic” në Ulqin, ku vendosen një pjesë e klubeve të Kosovës gjatë përgatitjeve në këtë qytet bregdetar.
Këshilltari i FFK-së, francezi Zherom Shampanjë, theksoi se ai me drejtuesit e futbollit kosovar, po punojnë që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e FIFA-s. “Po punojmë në kompletimin e dokumentacionit për aplikim, – ka zbuluar ai. – Dhe jemi duke bërë hapa përpara në këtë drejtim.”
“Edhe pse është një situatë e vështirë, jam optimist se do të gjendet një zgjidhje për futbollin kosovar, – vijoi më tej një nga kandidatët për kreun e FIFA-s në zgjedhjet presidenciale të majit të këtij viti. – Jemi duke punuar që ta bëjmë të mundur pjesëmarrjen e Kosovës në Eliminatoret e Botërorit 2018, pasi shorti do të hidhet sivjet.”