AlbanianSport.com 24/04/2020 20:55
ASNN – Sikundër është njoftuar të premten, në ditët në vazhdim, edhe në arkën e Federatës së Futbollit të Kosovës pritet të derdhen 500,000 dollarët amerikanë (462 mijë Eurot) që FIFA i ka ndarë për 211 Fedetarat anëtare. Organizmi që qeveris futbollin ndërkombëtar ka njoftuar të premten se ka ndarë 150 milionë dollarë amerikanë (138 milionë Euro) për të përkrahur federatat kombëtare, anëtare të saj. FIFA ka saktësuar se secila federatë nacionale do të mbështetet me nga 500 mijë dollarë (462 mijë euro).
Por, sikundër raportojnë mediat e Prishtinës, prej fondit që FIFA ka ndarë për FFK-në, nuk pritet të përfitojnë klubet e futbollit në vend. Kohë më parë FFK-ja ka përkrahur lojtarët e të gjitha klubeve e po ashtu gjyqtarët, delegatët dhe shkollat e futbollit dhe lojtarët ende janë duke marrë ndihmën e FFK-së. Klubet e Superligës janë mbështetur për 35 persona për secilin klub, me shumën prej 350 euro për kokë, edhe pse disa klube nuk e kanë vlerësuar përkrahjen të mjaftueshme.
“FIFA ka ndarë nga 500 mijë dollarë për federatat kombëtare, – ka thënë për Koha.net, Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së. – Këto para do të shfrytëzohen për të mbuluar shpenzimet e federatës, që janë jashtëzakonisht të mëdha. I kemi mbi 30 trajnerë të ekipeve kombëtare që paguhen në baza të rregullta. Po ashtu i kemi mbi 30 persona në administratën qendrore dhe mbi 20 në nyjet rajonale. Kemi komisione të ndryshme dhe shpenzime tjera që janë shumë të mëdha.”
Në FFK vlerësojnë se kanë dhënë mjaftueshëm për klubet. Jozyrtarisht është thënë se, për klubet, FFK-ja ka dhënë tashmë më tepër fonde sesa ka marrë nga FIFA në bazë të vendimit të së premtes. Por FIFA ka njoftuar se do të ndajë sërish fonde për federatat kombëtare. “Këto fond që i marrim nga FIFA, do të jenë për të mbuluar shpenzimet e Federatës, – ka theksuar Salihu. – Ndërkohë nëse marrim fonde nga MKRS-ja, çka pritet, të gjitha do të ndahen për klube. Kjo është ideja e Komitetit Ekzekutiv.”