AlbanianSport.com 27.01.2015 15:55
ASNN – Klubet e Superligës së Kosovës në futboll për çdo ndeshje që e organizojnë shesin numër të caktuar të biletave. Zakonisht shesin qindra bileta, ndonëse në stadiume ndodh që të ketë dy apo tri herë më shumë shikues se numri i biletave të shitura.
Sipas asaj që shkruan në një raport të posaçëm e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, kur bëjnë bilancet pas ndeshjeve, në fund të edicioneve apo në fund të vitit, drejtuesit e klubeve kuptojnë se të ardhurat që realizojnë nga shitja e biletave janë shumë të vogla.
Madje me ato të ardhura nuk mund të mbulojnë as shpenzimet për zyrtarët e ndeshjeve, që gjyqtarët, vëzhguesit dhe delegatët. Për çdo ndeshje të organizuar, klubet e “Raiffeisen” Superligës duhet të ndajnë mënjanë nga 450 euro për personat zyrtarë.
Gjyqtari kryesor merr 100 euro, ndimësat e tij nga 80 euro, kurse gjyqtari i katërt paguhet 50 euro për ndeshje. Vëzhguesi ka mëditje prej 80 eurosh, ndërsa delegati 60 euro. “Kur luftojmë për titull dhe përballemi me skuadra të mëdha, atëherë ndodh të shesim deri në 700-800 bileta për ndeshje”, – ka thënë Abedin Zeka, kryetar i klubit mitrovicas Trepça ’89, i cituar nga përditshmja kosovare në fjalë.
“Zakonisht shesim rreth 300 bileta për ndeshje, ndonëse numri i shikuesve të pranishëm në stadium është disa herë më i madh, – ka vijuar ai. – Në total brenda një kampionati shesim rreth 5.000 – 6.000 bileta. Në shumicën e rasteve me mjetet që marrim nga shitja e biletave nuk mund të mbulojmë as detyrimet për gjyqtarët.”