AlbanianSport.com 17/03/2019 19:35
ASNN – Milot Rashica shkëlqen sërish, gol dhe fitore për Verder Bremenin kundër Leverkusenit. Nëse ka një futbollist shqiptar i cili po shkëlqen në këtë periudhë është Milot Rashica. Ish-mesfushori i përfaqësueses kuqezi, tani pjesë e përfaqësueses së Kosovës, luajti të dielën titullar në ndeshjen që Verder Bremeni fitoi 3-1 kundër Bajern Leverkusenit në fushën e kësaj të fundit.
Ishte një paraqitje e shkëlqyer e shqiptarit, i cili shënoi golin e dytë për Verder Bremenin në këtë ndeshje. Ishte minuta e 37-të e takimit, kur Rashica shënoi golin e dytë për skuadrën dhe futi fitoren e ekipit të tij në shina të sigurta. Vetë paraqitja e tij në tërësi ishte fantastike dhe e nivelit më të lartë. Padyshim, kjo paraqitje shembullore është në vazhdën e lojërave të mira që futbollisti nga Kosova ka bërë këtë edicion në Bundesligën e Gjermanisë.
Ky ishte goli i 7-të i Rashicës në kampionat dhe duhet thënë se goli i shënuar të dielën ndaj Bajer Leverkusenit ishte i 5-ti për vitin 2019, duke dëshmuar se ai ka rregullsi në realizimet e tij dhe forma e mirë që po kalon apo dhe golat e shënuar nuk janë rastësi. Rashica u zëvendësua në minutën e 65-të, i duartrokitur dhe njëherësh i vlerësuar nga mediat gjermane, pasi është shndërruar në lider i ekipit të tij dhe me golat që po shënon po e ndihmon skuadrën të kapë nivele më të larta në renditje.