AlbanianSport.com 09.04.2015 12:55
ASNN – Mund Kozhuvin dhe kërkon titullin e parë në histori. Kështu, Kosova do ta ketë një përfaqësuese në finalen e Ligës Ballkanike. SIGAL Prishtina arriti sukses aty ku dështoi Peja, dhe tani do të kërkojë titullin e parë ndërkombëtar në historinë e saj.
Në Maqedoni nuk u lëkund për asnjë moment ndaj Kozhuvit, duke luftuar pikë për pikë, dhe duke u kualifikuar falë fitores së thellë në ndeshjen e parë. Rezultati në sallën e qytetit të Gjevgjelisë ishte 86-80 për maqedonasit.
Por fqinjët ishin mundur në Kosovë me minus 24 diferencë në ndeshjen e parë dhe mbrëmë, diferencën e bënë “bombat” 3-pikëshe, të shënuar radhazi nga Berisha, Bavçiç apo Trajkovski.
SIGAL Prishtina e arriti këtë sukses të madh në edicionin e dytë që merr pjesë në Ligën Ballkanike, duke shkuar kështu një hap më larg sesa gjysmëfinalet e vjetshme dhe sesa vendi i tretë.
Keqardhja e vetme është që Peja nuk mundi të fitonte edhe ajo, për të pasur një finale tërësisht të Kosovës. Hakun ndaj bullgarëve të Rilski Sportit do të përpiqet t’ia marrin prishtinasit në përballjet që do të luhen në 21 prill në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, dhe më 29 prill në Bullgari.