AlbanianSport.com 23/01/2021 14:55
ASNN – Prishtina është fituese e Superkupës së Kosovës në futboll, pasi takimi i zhvilluar të shtunën në mesditë në Antalya të Turqisë, u takoi kryeqytetasve që mposhtën gjilanasit e Dritës me rezultatin 3-1. Në fakt, fituesja e trofeut të Kupës së Kosovës, Prishtina, kaloi shumë shpejt në epërsi, që në minutën e 3-të me golin e Qëndrim Zybës.
Por vetëm katër minuta më vonë u kundërpërgjigj për Dritën Kastriot Rexha, i cili barazoi shifrat duke e shfrytëzuar edhe gabimin e portierit Eglant Haxho. Në minutën e 22-të, Prishtina rigjeti epërsinë, pasi mbrojtësi Besnik Krasniqi e shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Leonit Abazi. Goli i fundit nga Prishtina në këtë duel u shënua në minutën e 3-të shtesë.
Alban Shillova vulosi epilogun final të takimit, që u mbyll me shifrat Prishtina-Drita 3-1 dhe bardhekaltërit e kryeqytetit e kanë siguruar kështu këtë trofe për herë të 10-të në histori. Superkupa e Kosovës u zhvillua për herën e parë jashtë territorit të Kosovës, me miratimin e të të dyja klubeve, që po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para gjysmës pranverore të sezonit.
Prishtina e drejtuar nga trajneri Zekerija Ramadani fiton kështu trofeun e parë sezonal përballë një kundërshtari tepër të fortë. Tani është radha e kampionatit, teksa Superliga e Kosovës do të rinisë më 13 shkurt, datë kur do të luhet java e 19-të e saj. Prishtina dhe Drita do të takohen edhe në Stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit më 10 shkurt 2021, teksa do të përballen edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, në duelin e turit të 16-shes.