AlbanianSport.com 24.10.2014 18:25
ASNN – Mediat kosovare në Internet shkruajnë se, më 26 nëntor 2014, Sigal Prishtina do të luajë me një nga klubet më të njohura të basketbollit kroat dhe atij kontinental, teksa bëhet fjalë për Cibonën e Zagrebit, e cila është dhe fituese e Kupave të Evropës. Kryetari i KB Sigal Prishtina, Blerand Stavileci, ka qenë mysafir i klubit Cibona në ndeshjen e ABA Ligës, që ajo ka luajtur kundër KK Zara.
Ftesa është bërë nga kryetari i Cibonës, Aca Petroviç, vëllai i legjendës së basketbollit botëror Drazhen Petroviç. Cibona do të shkelë kështu për herë të parë në Kosovë dhe pritet që, përveç ndeshjes, të ketë edhe evente të tjera të programuara, si dhe do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në mes klubeve. KB Sigal Prishtina falënderon Ambasadën e Kroacisë në Kosovë dhe në veçanti Uliks Emrën, i cili mundësoi këto takime.
Sigal Prishtina, e cila është njëkohësisht pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike, deri më tani ka dy fitore dhe për rrjedhojë, në kohën që do të luajë kundër kroatëve të Cibonës së Zagrebit, më 26 nëntor në Pallatin e Sporti dhe Rinisë në Prishtinë, do të jetë pushim në këtë veprimtari. Pritet që të jetë një ndeshje e madhe dhe mes shumë emocione, por shumë miqësore me kroatët e Cibonës.