AlbanianSport.com 23/02/2022 13:25
ASNN – Alen Zhires është trajneri i ri i përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai është prezantuar të mërkurën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në një konferencë për shtyp. Prezantimin e tij, e ka bërë kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili tha: “Besoj që emri i tij mjafton për të treguar se kush është. Jam shumë i lumtur që gjendet në mesin tonë dhe ka pranuar të jetë kë krye të përfaqësueses së të rriturve. Me të do t’i futemi sfidës për të pasur sa më shumë rezultate të mirë. I kemi garantuar dhe i kemi dhënë përkrahjen e plotë për të vazhduar punën dhe për të pasur rezultate të pritura.”
“Besoj se me të do ta arrijmë synimin që e kemi pasur deri më tani dhe unë i uroj trajnerit Zhires mirëseardhje te Kosova dhe suksese të mëdha”, – ka theksuar Ademi përpara se ta nënshkruante kontratën me trajnerin francez. Ndërkaq, ky i fundit ka thënë se e njeh përfaqësuesen e Kosovës dhe ka vlerësuar shumë lojtarët aktualë, të cilët sipas tij janë teknikë dhe pëlqejnë të mbajnë topin. Ai ka thënë se ky stil i lojës i përshtatet shumë atij dhe me padurim pret ta fillojë punën. “Luajnë si ekip bashkë, duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve”, – ka theksuar 69-vjeçari.
“Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për të vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën, – ka vijuar ai. – Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë. Mua më pëlqen stili i lojës të lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë balancin e duhur por edhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë. Para 7 vjetësh kur kam thënë se Kosova nuk është ekipi më i dobët nuk ka qenë shumë i njohur por unë e kam parë potencialin që e kishte. Ai potencial është dashur të përpunohet për të mos munguar perspektiva pastaj.”
“Për këtë arsye jam këtu, baza e punës është këtu dhe detyra ime është t’ia sjell një dimension ekipit për të qenë garues, – ka theksuar Zhiresi. Synimi është të formojmë një ekip që do të jep rezultate të mira.” Kontrata e trajnerit të ri të Kosovës, Alen Zhires, është e vlefshme deri në fund të vitit 2023 dhe ai do ta drejtojë Kosovën në Eliminatoret për Evropianin e vitit 2024. Dy sfidat e para për trajnerin francez në krye të Kosovës do të jenë miqësoret e muajit mars, ajo ndaj Zvicrës dhe ajo ndaj Burkina Fasos.