AlbanianSport.com 03.02.2017 18:45
ASNN – Sipas një njoftimi të shpërndarë për shtyp, mësohet se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me Komunën e Pejës, me qëllim “Ndërtimin e Palestrës Kombëtare të Xhudos në Pejë”, projekt në të cilin do të investohen plot 1 milion e 500 mijë euro.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh se ky lajm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për xhudon dhe për Kosovën, edhe për faktin se ky sport, i cili tanimë ka shënuar suksese të jashtëzakonshme ndërkombëtare, me të cilat krenohet Kosova, po bëhet me “shtëpi” moderne, për zhvillimin e të gjitha veprimtarive sportive.
Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e falënderoi Ministrin Shala për përkrahjen që i ka dhënë këtij projekti shumë të rëndësishëm për Kosovën, dhe u shpreh se ky është lajm i mirë për gjithë qytetarët e Pejës, meqë ky sport i suksesshëm po bëhet me Palestër Kombëtare.
Po ashtu, mësohet se sot, ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Pejës, u nënshkruan edhe memorandumet për rregullimin e disa fushave të tenisit dhe për ngritjen e palestre të sportit për komunitetin, vlera financiare e të cilave është kap shifrën e 420 mijë eurove.