AlbanianSport.com 16/01/2019 19:55
ASNN – E çuditshme, por e vërtetë! Arbër Zeneli i Kosovës në garë me Leo Mesin për kryepasues goli. Lionel Mesi udhëheq listën e golashënuesve kryesorë në Evropë me 17 gola në 17 ndeshje, por argjentinasi i Barcelonës është njëkohësisht edhe pasuesi më i mirë për gol në 5 kampionatet më të mëdha evropiane, duke qenë i pakrahasueshëm për momentin në futbollin kontinental.
Çuditërisht, në 10 lojtarët më të mirë pasues goli është dhe një shqiptar. Ai është sulmuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, i cili luan me Herenvenin në kampionatin holandez. Zeneli ka regjistruar 8 pasime goli në pjesën e parë të edicionit dhe kjo është një shifër mjaft e mirë, sepse e pozicionon atë në vend të 7-të, pra, në 10-shen e parë të kësaj renditjeje evropiane.
Hans Vanaken i Klub Bryzhit në Belgjikë i prin listës së pasuesve më të mirë, me 12 pasime goli, ndërsa në vend të dytë është Leo Mesi i Barcelonës. Fill pas tyre renditen 8 futbollistë të tjerë që kanë nga 8 pasime goli e midis tyre edhe Zeneli i Kosovës. Djaloshi dëshiroi që të lëvizë këtë edicion drejt një klubi më të madh, duke shpresuar të jetë në një nga 5 ligat më të mira evropiane.
Por si duket ky objektiv ka mbetur për në qershor, kur nis edhe merkato verore. Kujtojmë që Zeneli ishte një prej shënuesve më të mirë në Ligën e Kombeve, me 6 gola të realizuar për përfaqësuesen shqiptare të Kosovës në Ligën D të veprimtarisë risi të UEFA-s. Nga ana tjetër, ai ka një peshë të madhe tek Herenveni në Holandë, pasi është protagonist me pasimet e tij ideale në shumicën e golave me peshë të skuadrës së tij.