AlbanianSport.com 19.01.2015 17:15
ASNN – Mundja kosovare është disiplina e radhës që është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore dhe mandej dhe atë Evropiane. Presidenti i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja, ka folur për faqen sportive kosovare në Internet, www.sporti1.com, për vendimin më të fundit të Federatës Botërore.
Presidenti i Federatës së Mundjes së Kosovës (FMK) mendon se rasti i tij është i vetmi që është shënuar në këtë sport me histori antike. FMK-ja ishte pranuar vite më parë nga presidenti i mëparshëm, zvicerani Martineti. Por pastaj ishte anuluar ky pranim duke u kthyer në nivelin e pranimit të përkohshëm.
Dhe vetëm të shtunën, presidenti aktual i Federatës Botërore të Mundjes, Nenad Laloviç, me bordin e tij ka vendosur për pranimin e Kosovës me të drejta të plota. “Kjo çfarë ka përjetuar Federata e mundjes e Kosovës nuk i ka ndodhur asnjë Federate në historinë e mundjes botërore”, – tha Muja në një bisedë për faqen sportive në fjalë.
“Kosova do të përfaqësohet sigurisht edhe me mundje në Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros më 2016, – premton ai. Kemi dhjetë garues me potencial ndërkombëtar dhe ata janë provuar në disa gara rajonale. Nuk dua të paragjykojë shumë, por jam i bindur se së paku me një mundës do të paraqitemi në “Rio 2016”.”