Albaniansport.net 25.01.2016 16:35
ASNN – Nora Gjakovës i janë paraqitur telashe jo shumë të zakonshme të premten para se të niste garën në turneun e Çmimit të Madh (Grand Prix), të xhudos të mbajtur në Havana të Kubës. Për herë të parë Kosova po konkurronte në Kubë, vend ky që nuk e njeh Kosovën si shtet. Organizatorët vendosën që mos të lënë Gjakovën të garojë si përfaqësuese e Kosovës, ndërsa këtë delegacionit kosovar ia bëri të ditur vetëm të premten, pak para se të niste gara.
Kështu Gjakovës iu kërkua që të ndërrojë kimonot (veshjet e xhudistëve) që të mos shihej emri Kosova, raporton e përditshmja e mirënjohur e Prishtinës, “Koha Ditore”. Ajo garoi si garuese e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) dhe arriti sukses që besohet se do t’i shërbejë shumë. U rendit e treta në kategorinë deri 57 kilogramë dhe, përveç medaljes së bronztë, fitoi edhe 120 pikë për renditjen olimpike.
“Në ditën e garës na thanë se nuk mund të garojmë si sportistë të Kosovës, por se duhet të garojmë me stemën të IJF-së, – ka thënë Gjakova për të përditshmen kosovare në fjalë. – Kështu edhe më është kërkuar të ndërroj kimonot. Natyrisht se kjo është një pengesë, pasi është dashur të garoj me kimono të tjera dhe nuk e kam pasur komoditetin që e kam në kimonot e mia. Por është dashur të tejkalohet kjo dhe për fat fundi ishte i mirë.”