AlbanianSport.com 21/08/2021 16:35
ASNN – Pas aventurës së kënaqshme kontinentale, Prishtina synon mbrojtjen e titullit. Ndërkohë që Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit në Shqipëri nis në fillimin e 10-ditëshit të dytë të shtatorit, në krahun tjetër të kufirit shqiptar, fundjava ngre siparin e Superligës së Kosovës në futboll.
Janë 10 skuadra që do të synojnë t’i kapin objektivat e tyre në nivelin më të lartë të Kampionatit të Futbollit të Kosovës dhe këto objektiva tashmë janë më të mëdha dhe me një mundësi më të madhe për t’u arritur, pasi katër skuadra do ta kenë mundësinë ta përfaqësojnë futbollin vendas në veprimtaritë evropiane.
Prishtina është kampionia në fuqi, por pritet që bardhekaltërit të ballafaqohen me një konkurencë të fortë në këtë sezon për shkak se të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime të mëdha. Risia e këtij edicioni është se për herë të parë do të futet në përdorim edhe teknologjia e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) në ndeshjet e Superligës.
Duhet theksuar se, pasi fitoi titullin e pritur gjatë, Prishtina nisi në fazën paraliminatore të Ligës së Kampioneve, ku mposhti kampionen e San Marinos dhe atë të Andorrës. Në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve u ndal nga Ferencvaroshi hungarez, ndërsa më tej, ajo kaloi në turin e dytë të Ligës së re të Konferencës.
Aty ku eliminua në turin e 3-të përballë Bodo/Glimtit. Përveç Prishtinës, rrugëtim të mirë evropian ka patur edhe Drita, ndërsa Llapi është ndalur që në nisje.