AlbanianSport.com 18.02.2017 21:15
ASNN – Medalja e artë e Luiza Gegës nuk ka qenë në fakt e vetmja medalje shqiptare në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Salla të Mbyllura që u mbajt në Stamboll. Kjo sepse, në orët e pasditës së djeshme, atletët e përfaqësueses së Kosovës, Musa Hajdari dhe Astrit Kryeziu, bënë një paraqitje të shkëlqyer në garën 800 metrave.
Musa Hajdari zuri vendin e tretë, me kohë 1 minutë, 50 sekonda e 5 të qindtat, ku fitoi 1,085 pikë të IAAF-it, kurse Astrit Kryeziu zuri vendin e katërt me kohën 1 minutë, 50 sekonda e 63 të qindtat, ku fitoi 1,062 pikë të IAAF-it. Kjo është një garë e rëndësisë së veçantë pasi bën pjesë në kalendarin e Federatës Atletike Evropiane.
Mitingu Ndërkombëtar i Atletikës në Salla të Mbyllura që u mbajt në Stambolli cilësohet si “European Athletic – Indoor Permit Meeting”. Duhet theksuar se ky rezultat i Hajdarit është edhe rekordi i disiplinës 800 m në salla të mbyllura për Kosovën. Në fakt, ishte një garë e fortë dhe rezultati shumë i ngushtë midis vendit të parë e atij të dytë.
“Mungesa e garave në salla të mbyllura dhe mungesa e stërvitjeve në mjedise të tilla ka ndikuar jashtëzakonisht shumë që atletët e Kosovës të mos ngjiten në dy vendet e para dhe këtë e dëshmon edhe rezultati i ngushtë midis 4 të parëve, – ka thënë trajneri i Kosovës, Zijadin Kryeziu.