AlbanianSport.com 30.12.2014 14:20
ASNN – Sipas faqes sportive kosovare në Internet, www.sportrks.com, në Pallatin e Sporteve “Sezai Surroi” në Prizren, në praninë e afro 800 shikuesve, është mbajtur “Turneu Ndërkombëtar i Pehlivanëve 2014”, i cili është organizuar nga Klubi i Mundjes “Prizreni” dhe është mbështetur nga Federata e Mundjes e Kosovës.
Duhet theksuar se kjo lloj disipline e mundjes, e cila praktikohet kryesisht në Ballkan dhe në Turqi, ka rregullat dhe specifikat e saj, ku padyshim spikat lyerja me vaj, për ta vështirësuar kontrollin e kundërshtarit. Kjo disiplinë praktikohet në natyrë, por edhe në salla të mbyllura, në varësi të motit dhe rrethanave.
Në këtë turne kanë marrë pjesë afro 80 “pehlivanë” nga Shqipëria, Bullgaria,Maqedonia dhe Kosova. Ky është njëri ndër turnetë më të forta të këtij lloji që organizohet në rajon. Siç është pritur edhe kësaj radhe kanë mbizotëruar “pehlivanët” nga Kosova, përkatësisht nga Prizreni.
Kështu ka shkëlqyer Egzon Shala, Edon Shala, Dejan Mitrov, Alban Sopa, Veli Susuri dhe Liman Kryeziu. Egzon Shala, një mundës i talentuar i kombëtares shqiptare, ka demonstruar dhe një herë formën e tij të mirë, që e ka pasur në të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.