AlbanianSport.com 24.12.2014 10:45
ASNN – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur drejtuesit e Federatës së Xhudos së Kosovës, të prirë nga kryetari Agron Kuka, trajnerin e përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka dhe kampionet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Kështu ka raportuar gazeta kosovare Koha Ditore. Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, e uroi ministrin Shala për marrjen e detyrës së re. Ai e informoi ministrin për të arriturat dhe përgatitjet që janë duke bërë në xhudo, për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Evropiane e Botërore.
Dhe ata presin që edhe në këto ngjarje të rëndësishme të korrin suksese kulmore. Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat përballen xhudistët e xhudistet e Kosovës në garat ndërkombëtare. Ata parashtruan mundësinë e pajisjes së sportistëve me pasaporta diplomatike, gjë që do ta lehtësonte përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit në këtë sport. Ministri Shala i ka përgëzuar FXHK-në për sukseset e arritura të cilat kanë bërë që Kosova të jetë e pranishme dhe të na bëjë krenarë në arenën ndërkombëtare në përgjithësi e sidomos në fushën e sportit, duke thënë se kanë mbështetjen e tij të plotë.
Ai e ka cekur se do të interesohet në lidhje me pasaportat diplomatike që sportistët të pajisen me to. Ai ka theksuar se është i hapur për kërkesat dhe idetë që do të vijnë prej Federatës së Xhudos. Ministri i ka informuar se tashmë ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore. Krahas Ligjit për Sportin, i cili tashmë është pjesë e pakos legjislative të qeverisë, ministria do të punojë shumë në licencimin dhe sponsorizimin në sport. Këta hapa, sipas ministrit Shala, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurimin e cilësisë edhe më tej.
Ndërkohë që të njëjtën gjë, Shala e ka bërë dhe me volejbollin kosovar.