AlbanianSport.com 23.01.2017 11:15
ASNN – Këshilli Kombëtar i Investimeve, sot mbajti takimin e radhës, në të cilin u miratua projekti “Ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Futbollit në Prishtinë”, ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Sipas Ministrit Kujtim Shala, ky hap është tejet i rëndësishëm, meqë me të fillojnë hapat ligjorë për konkretizimin e financimit të projektit.
Para anëtarëve të këtij Këshilli, Ministri Shala, u shpreh se ky projekt është pjesë e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe një nga synimet themelore të MKRS-së. Ai tha se, në vitin 2014, Qeveria e Kosovës, me një vendim të veçantë, ka vendosur që të ndërtojë Stadiumin Kombëtar dhe në vendim ka përcaktuar si vend për ndërtimin e tij Prishtinën.
Shala bëri të ditur se mbi bazën e atij vendimi, MKRS-ja ka identifikuar dhe zhvilluar procedurat për përcaktimin e vendndodhjes, saktësisht në Bërnicë të Poshtme, vendndodhje që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh, në të cilën, përpos Stadiumit Kombëtar, do të ndërtohen edhe objekte të tjera sportive të karakterit kombëtar.
Në fjalën e tij, Shala, më tej shtoi se pas anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA, Kosova duhet të plotësojë standardet që kanë përcaktuar këto dy organizata, më të rëndësishmet e botës së futbollit, përfshirë këtu edhe infrastrukturën. Për shkak të natyrës së projektit, financimi i projektit të Stadiumit Kombëtar të Futbollit, duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë.
Po kështu, edhe të negociohet përmes një marrëveshjeje financiare të veçantë. Kostoja totale e projektit pritet të saktësohet së shpejti, mirëpo, bazuar në modele të ngjashme te stadiumeve, parashikohet që ajo të jetë 40-50 milionë euro. Në fund, Shala u shpreh se ndërtimi i Stadiumit Kombëtar do të përmirësonte dukshëm gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së sportit e në veçanti të futbollit.
Ndërsa, ndërtimi i Qendrës Kombëtare të Sporteve do të ndihmojë për plotësimin e kritereve ndërkombëtare dhe do të mundësojë zhvillimin e veprimtarive sportive ndërkombëtare në Kosovë, dhe një tjetër ndihmesë do të jetë edhe punësimi në Qendrën Kombëtare të Sporteve, e cila do të menaxhohet nëpërmjet kushteve të ofruara me ligj nga Qeveria e Kosovës.