AlbanianSport.com 08/03/2019 23:00
ASNN – Të premten në mbrëmje një shqiptar ishte në qendër të vëmendjes në Evropë. Bëhet fjalë për Milot Rashicën, ish-mesfushor i krahut i përfaqësueses së Shqipërisë, aktualisht pjesë e përfaqësueses sp Kosovës, i cili luajti me Verder Bremenin në Bundesligë, në përballjen me Shalke 04-ën, dhe ia doli të shënojë dy gola në fitoren 4-2 të skuadrës së tij.
Ishte një mbrëmje e madhe për talentin shqiptar, i cili shënoi në pjesën e parë golin e barazimit në minutën e 31-të, pasi kishte shënuar më parë Shalke 04-ra me Embolonë. Në pjesën e dytë ishte shoku i skuadrës së tij Kruse që realizoi me 11-metërsh golin e dytë dhe vetë shqiptari që shënoi golin e tretë në minutën e 73-të të takimit, duke treguar klas në finalizim.
Verderi bëri dhe një gol tjetër në minutat e fundit, pasi kishte shënuar edhe Shalke 04-ra një gol me të përhershmin Embolo. Rashica u zëvendësua në minutën e 84-t, duke marrë duartrokitjet e spektatorëve për paraqitjen e nivelit të lartë dhe duhet thënë se ky ishte dygolëshi i dytë këtë edicion me Verderin në Bundesligë, teksa ka realizuar në total 6 gola në kampionatin gjerman për ngjyrat e skuadrës së tij.
Edhe pse e ka sezonin e parë tek Verder Bremen, ai po shkëlqen dhe e ka merituar vendin e titullarit.