AlbanianSport.com 07/09/2021 22:40
ASNN – Trajneri i përfaqësueses iberike: Kosova, mjedis miqësor, njerëz të këndshëm. Përfaqësuesja e Spanjës ka arritur në Kosovë aty ku të mërkurën do të zhvillojnë ndeshjen e radhës kundër “Dardanëve” në kuadër të Grupit B të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Trajneri i Spanjës, Luis Enrike, që në hyrje të konferencës shpalosi përshtypjen shumë të mirë që ka marr nga vizita e tij në Kosovë edhe pse paraprakisht mediat spanjolle kishin raportuar se ata mund t’i priste një mjedis armiqësor në Prishtinë.
Por Enrike deklaroi se Kosova është një vend që u ka ofruar atmosferë shumë pozitive dhe me njerëz shumë të këndshëm. “Dua të them që atmosfera këtu është shumë e këndshme, njerëzit janë shumë të afrueshëm, – ka thënë ish-futbollisti i njohur. – Ne kemi ardhur këtu që të luajmë futboll dhe jo të bisedojmë për politikë.” Trajneri i Spanjës e vlerësuar lart Kosovën si një skuadër me futboll shumë cilësor, të ndërtuar mirë dhe që di të luajë, si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse.
“Mendoj që janë ekip shumë i rrezikshëm, i ndërtuar mirë, – ka thënë Enrike. – Mendoj që janë, ndryshe nga ekipet e tjera të grupit dhe të rajonit, janë një ekip sulmues, është një ekip që mund të sulmojë dhe të mbrohet njëkohësisht kështu që ne do të tentojmë që të luajmë sa më mirë.” Ndërsa sulmuesi i Spanjës Paolo Sarabia tha para mediave se pret që Kosova të luajë në mbrojtje më shumë, ndërkohë që u shpreh se, si sulmues, do të provojë të shënojë gol në Stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Presim që të kemi një lojë ku ekipi vendas do të qëndrojë më shumë prapa, – ka thënë ai. – Ne do të provojmë që të depërtojmë, qoftë nga pjesa qendrore apo nga krahët dhe në këtë mënyrë të arrijmë të shënojmë apo të marrim fitore. Jemi këtu që të luajmë lojën tonë, do të japim maksimumin, t’i kontribuojmë ekipit tonë. Natyrisht, si sulmues ky është edhe roli ynë apo funksioni që kemi.” Kosova dhe Spanja përballen të mërkurën me njëra-tjetrën në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, në takimin që nis në ora 20:45.