AlbanianSport.com 01.01.2017 13:05
ASNN – Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sport, Nait Hasani, ndihet krenar për punën e bërë, bashkë me kolegë dhe bashkëpunues të tjerë në bërjen e Kosovës me një ligj të mirë për sponzorizime, që kaloi në Kuvend pak ditë para mbylljes së 2016-ës. “Unë jam me fat që isha pjesë e këtij Komisioni, i cili pas dhjetë vjet përpjekjesh më në fund arriti ta bëjë Kosovën me këtë ligj”, – ka thënë ai.
“Kemi punuar shumë, kemi qenë në vizita edhe jashtë Kosovës, ishim në Frankfurt, ku jemi takuar me Dhomën e Avokatëve, me ministra, etj., dhe të gjithë na rekomanduan praktikën gjermane, të cilën edhe e pranuam sepse ishte më e mira, – ka vijuar Hasani. – Edhe pse Ministria e Financave ankohej se ky ligj e ngarkon Qeverinë, ne e kemi bindur që nuk e ngarkon. Përkundrazi. Kosova ka nevojë për stadiume dhe objekte të tjera sportive që kushtojnë.”
“Dhe, me këtë ligj jepet mundësia për ndërtimin e tyre nga ana e sponsorizuesve e të cilët lirojnë nga këto detyrime Qeverinë, kurse kjo e fundit i liron nga tatimet”, – shpjegoi ai më tej. Në anën tjetër, Bekim Haxhiu, deputet në Kuvendin e Kosovës beson se Ligji për Sponsorizime do t’i hapë rrugë të madhe zhvillimit të mëtejeshëm të sportit kosovar. “Ne miratuam edhe Ligjin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive”, – ka thënë ai.
“Me miratimin e këtyre dy projektligjeve Kuvendi i Kosovës, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport po hap rrugën për një zhvillim më të madh në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, – ka vijuar ai. – Ne kemi pasur pengesa të marrim pjesë në veprimtari sportive ndërkombëtare, por askush nuk na penguar ta rregullojmë infrastrukturën ligjore dhe infrastrukturore. Qysh në vitin 2013 patën dalë rekomandimet në Parlament për Ligjin për Sponsorizim.”
“Personalisht jam munduar maksimalisht që ta shtyjë përpara këtë ligj, sigurisht edhe me njerëz të tjerë që kishin vullnet pozitiv. Dhe, sot ndihem shumë krenar për kontributin”, – ka përfunduar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu.