AlbanianSport.com 25/05/2020 19:25
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është ambicioz. Madje ai synon të marrë pjesë me 6 sportistët të kualifikuar me normë olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që janë shtyrë për vitin tjetër, për shkaku të epidemisë së virusit korona. Nga sporti i xhudos, Kosova është hëpërhë në zonën e 5 normave të arritur për në Olimpiadën e Tokios. Por Kuka në intervistën dhënë emisionit sportiv të KTV-së, “Sporti Total”, ka thënë se pret që edhe xhudistja Laura Fazliu t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit olimpik.
“Për momentin, i kemi 5 norma olimpike e ndoshta kjo shtyrje do të jetë pozite për Laura Fazliun që ka potencial, – ka thënë ai për emisionin në fjalë. – Normalisht potenciali i garuesve dhe numri i medaljeve të fituar në botëror na jep shpresë që të kthehemi me medalje nga Olimpiada, që do të ishte e jashtëzakonshme. Rezultat i jashtëzakonshëm do të ishte madje të mos kthehemi pa medalje. Me këta garues me këtë potencial do të ishte dashur të kthehemi edhe me ndonjë medalje olimpike.”
Kuka është natyrshëm krenar me arritjet e sportistëve të tij. Por, ai thotë se viti 2016 do të mbetet kujtim i bukur për Kosovën. “Në rrafshin sportiv Lojërat Olimpike për trajner e garues, janë diçka tjetër, – ka thënë ai. – Por, në rrafshin politik triumfi i Majlindës dhe medalja e bronztë e Norës kanë qenë fitore e jashtëzakonshme. Ka qenë një odise e jashtëzakonshme para se të shkonim. Suksesi nga Majlinda dhe Nora ishte paralajmërim për Rio. Rusia dhe Rio të vitit 2016 do të mbeten në kujtesën e Kosovës, por edhe historik në sportin shqiptar.”