Gjergj Vyshka 19.01.2015 19:15
Përfaqësuesja e Kosovës në boks, të enjten ka udhëtuar për në Durrës, atje ku do të jetë në përgatitjet e përbashkëta të Shpresave dhe Olimpike. Federata e Boksit të Kosovës të mërkurën përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përfaqësuesja e boksit të Kosovës në Durrës do të jetë me katër boksierë. Bëhet fjalë për Liridon Zeqirin në peshën 60 kg, Violant Sylejmani në peshën 69 kg, Besar Kurhasku në peshën 69 kg, Armend Xhoxhaj në peshën 81 kg, ndërsa trajneri i tyre do të jetë Xhevdet Peçi dhe përgjegjësi i delegacionit Mehmet Bogujevci.
Trajneri i përfaqësues së Kosovës, Xhevdet Peci, ka thënë se në Durrës do të punohet më shumë në përgatitjet e fazës bazike.“Në këto përgatitjet janë paraparë përgatitjet në fazën bazikë, ku më shumë do të punohet në forcë, pasi është e nevojshme për arsye që boksierët tonë të përballojnë Kampin Ndërkombëtar, që organizohet në Sofje të Bullgarisë nga data 9, deri më 23 shkurt 2015, atëherë kur edhe nis turneu i madh ndërkombëtar “Stranagjat””, – ka thënë Peci.
Ndërkohë, sipas Federatës së Boksit të Kosovës, të njëjtit boksierë do të ndërprejnë përgatitjet dhe do të jenë pjesë të turneut të madh ndërkombëtare në Debrecen të Hungarisë. Federata e Boksit të Kosovës thekson se Armend Xhoxhaj dhe Liridon Zeqiri janë kandidatët kryesorë për t’i plotësuar normat për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Dhe këta boksierë kanë nevojë që sa më shumë të jenë pjesë e kampet stëritore ndërkombëtare që organizohen nga Federata Botërore e Boksit Ndërkombëtar.