AlbanianSport.com 02.02.2016 20:25
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, të cilat i referohen një njoftimi zyrtar, Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), do të mbahet më 24 shkurt 2016 në Prishtinë. Kjo është bërë e ditur të hënën, në ftesën që KOK-u u ka dërguar federatave sportive të vendit. Nëpërmjet kësaj ftese, KOK-u i ka njohur federatat edhe me rendin e ditës për këtë asamble.
Disa prej pikave të rendit të ditës janë pranimi i anëtarëve të rinj, shqyrtimi i raportit të punës për vitin 2015, objektivat për vitin 2016, e disa pika tjera. Ndër të tjera pritet të miratohet 9 dhjetori i këtij viti, si data kur do të mbahet Asambleja Zgjedhore e organizmit që qeveris lëvizjen olimpike në Kosovë. Në fakt, më tepër pritet të diskutohet për raportin e punës dhe atë financiar për vitin 2015.
KOK-u jep pak informata për publikun, por, përveç qeverisë, ka burime financiare edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe ai Evropian (EOC). Bashkangjitur me letrën e së hënës, Federatat sportive të Kosovë janë njoftuar edhe me listën e delegatëve që vazhdon të jetë e gjatë me përfaqësues federatash olimpike e joolimpike, me olimpistë, sportistë të shekullit e përfaqësues të plot institucioneve tjera.