AlbanianSport.com 06.01.2017 07:05
ASNN – Mesa duket, fillimi i sezonit pranveror të Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj pritet të shtyhet të paktën për një javë. Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, pjesa pranverore ishte parashikuar të niste fundjavën e ardhshme, më 14-15 janar 2017.
Por, me kërkesën e klubeve elitare, nisja do të shtyhet për më 20-21 të këtij muaji. Klubet kanë bërë kërkesë për shtyrjen e fillimit të pjesës pranverore për shkak të mungesës së ngrohjes nëpër palestra dhe motit të ftohtë, që është paralajmëruar se do të mbretërojë gjatë këtij muaji në Kosovë.
Pjesa vjeshtore e edicionit 2016-2017 në basketboll është mbyllur me dy ndeshje të zhvilluara në kuadër të javës së 14-të, më 28 dhe 29 dhjetor. Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka konfirmuar kërkesën e klubeve të Superligës për shtyrje dhe Bordi gjatë këtyre ditëve pritet të aprovojë shtyrjen e fillimit të garave.