AlbanianSport.com 22/02/2020 17:45
ASNN – Një futbollist serb bëhet pjesë e përfaqësueses së futbollit të Kosovës. Bëhet fjalë për Ilija Iviçin, 17-vjeçari serb që ka pranuar të luajë për përfaqësuesen e Nën-19-vjeçarëve të Kosovës. Por ky vendim i tij nuk ka kaluar pa pasoja. Komuna e Graçanicës, ku banon futbollisti i ri, i ka larguar nga puna të dy prindërit. Kështu, 17-vjeçari Ilija Iviç, nga Graçanica, afër kryeqytetit, Prishtinë, ka vendosur të bëhet futbollisti i parë serb, që do të luajë për ngjyrat e Kosovës.
Iviçi e mori ftesën nga trajneri i ekipit, Ramiz Krasniqi. Në sajë të talentit që ka, ai është përzgjedhur të luajë me përfaqësuesen e kësaj grupmoshe të Kosovës. Kohët e fundit, ai nënshkroi edhe kontratën e tij të parë profesionale me KF Flamurtarin, një ekip që luan në nivelin më të lartë të vendit të Kampionatit të Futbollit, Superligën e Kosovës. Por vendimi për të luajtur me përfaqësuesen e Kosovës, i ka kushtuar shtrenjtë futbollistit serb, nga komuna e Graçanicës, Ilija Iviç.
Ka qenë pikërisht kjo komunë që i ka larguar nga puna të dy prindërit e tij. Klubi i Flamurtarit, ku bën pjesë futbollisti, ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e vet zyrtar në rrjetin social “Facebook”, duke ka shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe thekson faktin se është pranë familjes dhe futbollistit. Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka reaguar pas ngjarjes me futbollistin Ilija Iviç. Ajo ka dënuar çdo ndërhyrje të politikës në sport.
Edhe Federata Kosovare e Futbollit e ka dënuar këtë veprim të bërë ndaj familjes së futbollistit të ri.