AlbanianSport.com 21.01.2017 19:50
ASNN – Kryesia dhe organet tjera të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), të dala nga Asambleja Zgjedhore e 21 dhjetorit, po kontestohen një muaj pas atij procesi zgjedhor. Një grup delegatësh prej 12 personave të enjten kërkoi nga Ministria e Sportit që ta urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në KOK.
Këta delegatë dorëzuan në Ministri një dosje me 42 faqe, ku janë përfshirë shkeljet e pretenduara ligjore e statutore në zgjedhjet e fundit. Ata paralajmërojnë denoncim edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës.
Por Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani thotë se delegatët e pakënaqur kanë mundur t’i shprehnin pakënaqësitë në Asamble. Ai nuk beson se do të ndryshojë diçka, pasi këmbëngul se Asambleja Zgjedhore ishte plotësisht e rregullt. “Nuk e di në çka e kanë bazuar ankesën, por çdo vërejtje kanë pasur mundësi ta shprehin në Asamble”, – ka thënë ai.
“Vendimet, kryesisht janë marrë unanimisht, me një apo dy vota kundër, apo aty këtu ndonjë abstenim, – ka vijuar, i cituar nga e përditshmja e Kosovës, “Zëri”. – Sidoqoftë, është e drejtë demokratike të bëhen ankesa.” Besim Hasani e fitoi edhe një mandat katërvjeçar, duke e mposhtur kandidatin tjetër, Jeton Beqiri.