AlbanianSport.com 05.05.2015 17:40
ASNN – Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur sot ekipin kampion të BIBL-së, SIGAL Prishtinën. Presidenti i Klubit “SIGAL Prishtina”, Blerand Stavileci, shprehu krenarinë dhe kënaqësinë që ky moment tashme është real dhe se kjo do të bëjë që i gjithë basketbolli kosovar të përparojë si dhe ekspozimi e vëmendja më e madhe e publikut të bëjë që më shumë partnerë e sponsorë të interesohen për të mbështetur zhvillimin e sportit.
Ndërsa sipas mediave kosovare, Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, shprehu konsideratën e lartë për këtë arritje dhe falënderoi lojtarët, ekipin menaxhues, trajnerin dhe sponsorët për suksesin e arritur. Një dedikim i veçantë iu bë edhe lojtarëve të huaj që luajnë për Prishtinën, si dhe iu dorëzua një mirënjohje e dedikuar Klubit të Basketbollit për këtë rast dhe fitoren historike.
“Fitorja Ballkanike bën që të mendohet se edhe Lojërat Olimpike janë një objektiv i arritshëm në horizont për basketbollin kosovar, ndaj suksese, e kurdoherë do të keni mbështetjen jo vetëm morale të Lëvizjes Olimpike”, – ka thënë kreu i Lëvizjes Olimpike Kosovare. Më pas, lojtarët kampionë të Ballkanit firmosën me autografet personale bluzën simbolike të KOK-ut.