AlbanianSport.com 25/04/2020 21:40
ASNN – Kur vjen fjala për të ndarë para, gjithmonë ka të pakënaqur dhe gjithmonë ka zëra që ngrihen. Kështu ka ndodhur edhe me klubin mitrovicas i futbollit, Trepça ’89, që ka reaguar të shtunën lidhur me qasjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ndaj vendimit të FIFA-s për të ndihmuar federatat kombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë për Koha.net se fondi i ndarë nga FIFA do të shërbejë për të mbuluar shpenzimet e mëdha të Federatës.
Sikundër 201 federatat e tjera anëtare të FIFA-s, FFK-ja pritet të përfitojë 500,000 dollarë amerikanë (462 mijë euro) nga organizmi që qeveris futbollin botëror, në bazë të një vendimi që u mor të premten. Por, në komunikatën e Trepçës ’89 janë lëshuar shumë akuza për drejtuesit e FFK-së, ndërsa është vlerësuar se nga ky fond duhet të përfitojnë edhe klubet. Në të vërtetë FFK-ja kohë më parë ka përkrahur klubet dhe të gjithë ata që janë përfshirë në futboll.
“Këto fonde, Federata mund t’i investojë në ligat kombëtare (pra te klubet e Kosovës), – thuhet ndër të tjera në komunikatën e Trepçës ’89. – Sipas Eroll Salihut, administrata e FFK-së qenka më e rrezikuar për falimentim e jo klubet e futbollit, të cilat e themelojnë këtë Federatë dhe e punësojnë këtë administratë. FFK-ja merr fonde të dedikuara drejtpërdrejt për mirëmbajtjen e administratës dhe mbulimin e kostove financiare, nga “Hat-trick”, programi i UEFA-s, për çdo vit nga 1,3 milionë euro.”
“Si duket FFK-së këto ditë nuk po i dalin këto 1,3 milionë euro për vetëm 24 të punësuar në administratë, 30 trajnerë dhe 20 të punësuar në LRF, – vijon më tej klubi mitrovicas në komunikatën e tij. – Tani në këtë kohë kur e gjithë bota dhe klubet më me emër janë duke përgjysmuar pagat e duka marrë masa të tjera shtrëngues, FFK-ja i siguron vetes edhe një fond emergjent shtesë, duke mos dëgjuar klubet që janë në pozitë të vështirë dhe ekzistenciale.”
Madje kreu i këtij klubi, Adedin Zeka, ka shkruar se është duke menduar tërheqjen nga garat që “organizohen nën udhëheqjen e këtyre personave të papërgjegjshëm, kriminelë, pa kurrfarë morali apo etike”.