AlbanianSport.com 21/04/2020 22:35
ASNN – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka thënë se do t’i nisë përgatitjet për rinisjen e sezonit 2019-2020 në Superligë, pasi i është kërkuar nga UEFA që kampionati të përmbyllet, maksimumin, deri më 20 gusht, edhe pse rikthimit i futbollit varet nga gjendja e pandemisë koronavirus në vend. Organizmi që qeveris futbollin futbollit evropian mbajti një video-konferencë të martën me 55 vendet anëtare, përfshirë FFK-në, për të diskutuar rreth mundësive për përmbylljen e kampionateve kombëtare.
Futbolli në gjithë botën, përfshirë në Kosovë, është pezulluar që prej 10-ditëshit të dytë të marsit për shkak të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit. Superliga e Kosovës ka edhe 11 javë të mbetura, me Ballkanin që kryeson me 44 pikë, një më shumë se Drita e vendit të dytë. Ndërkohë, rreth 600 persona janë prekur nga “Covid-19” në Kosovë, kurse 16 kanë vdekur deri më tani. FFK-ja thotë se do t’i nisë përgatitjet për rinisjen e sezonit, por e pranon se kjo do të varet nga vendimi i Qeverisë së Kosovës.
“Temë e dytë e diskutimit ishte çështja e rifillimit të kampionateve dhe ndeshjet para-eliminatore për edicionin e ri të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës, – ”, thuhet në njoftimin për shtyp të afishuar në faqen zyrtare të FFK-së në Internet. – Me këtë rast, UEFA u dha afat federatave anëtare të saj që kampionatet t’i përfundojnë maksimumi, deri më 20 korrik 2020. Prandaj, tashmë Federata e Futbollit e Kosovës do të fillojë përgatitjet për rifillimin e garave.”
“Por, normalisht, për këtë çështje do të ketë konsultime të vazhdueshme me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Sportit”, – shton njoftimi i FFK-së. Belgjika është vendi i parë, sipas të gjitha gjasave, e ka përfunduar sezonin 2019-2020 para kohe, një javë para përmbylljes së tij. Titulli i është dhënë Klub Bryzhit, i cili tashmë ishte shpallur sidoqoftë “kampione”. Ndërkohë, sezoni pritet të përfundojë para kohe edhe në Holandë, aty ku qeveria e vendit e zgjati karantinën deri më 1 shtator 2020.