AlbanianSport.com 09/04/2020 20:45
ASNN – Sporti në gjithë botën është pezulluar për kohë të papërcaktuar për shkak të epidemisë së koronavirusit. Po kështu, edhe Superliga e Kosovës dhe ligat e tjera në futboll në vend u pezulluan në fillim të marsit, për shkak të rrezikut nga sëmundja e “Covid-19”.
Ende nuk është e qartë nëse do të rinisë apo jo sezoni, ose kur do të nisë, nëse ndodh një gjë e tillë. Por klubet e Superligës janë prekur tashmë financiarisht në mungesë të të ardhurave nga zhvillimi i ndeshjeve dhe sponsorët. Ferizaj u ankua ditë më parë se ka katër muaj që nuk i paguan lojtarët dhe stafin e klubit, në mungesë të të ardhurave.
Pranda Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur t’u vijë në ndihmë klubeve të futbollit në vend, të cilat janë prekur financiarisht nga epidemia e koronavirusit. FFK-ja ka bën të ditur se dëshiron që sezoni 2019-2020 të rinisë, por për këtë do të vendosë në përputhje me udhëzimet e autoriteteve shtetërore dhe UEFA-s.
Këshilli Ekzekutiv i FFK-së mbajti të mërkurën një takim, që u drejtua nga presidenti i organizmit që qeveris futbollin kosovar, Agim Ademi, për të diskutuar rreth gjendjes në futbollin vendas gjatë kësaj krize. Sikundër bën të ditur vetëm Federata e Kosovës, ajo është zotuar se do t’i ndihmojë klubet me mundësitë e rezervuara për projektet e veta.
“Duke parë gjendjen e vështirë me të cilën po përballen klubet e futbollit, Këshilli Ekzekutiv ka marrë vendim që, nga buxheti i vet, duke rrezikuar edhe projektet e saj, të ndihmojë të gjitha klubet si ndihmë për të zbutur sadopak hallet edhe ashtu të vështira të tyre”, – ka deklaruar FFK-ja në një komunikatë për media.
“Këshilli Ekzekutiv e bën të qartë për të gjithë që këto mundësi janë ekzistenciale, – vijon më tej komunikatë në fjalë. – Këshilli Ekzekutiv diskutoi për rifillimin e garave kur të lejohen me ligj nga shteti, duke qenë ithtar që garat të përmbyllen në kohë të rregullt. Por, gjithsesi është e kuptueshme që për këtë nuk vendos FFK-ja.”
“Kjo, por për shkak të gjendjes në të cilën gjendet Kosova, vendosin organet shtetërore dhe në varësi të vendimeve të tyre varen edhe vendimet e FFK-së, – sqaron komunikata. – Këshilli Ekzekutiv edhe pse është për rifillimin e garave dhe përfundimin e tyre, do të ndjekë situatën me kujdes.”
“Në rast se gjendja rëndohet dhe vjen deri te vendimi për ndërprerje të garave, atëherë FFK-ja do të ndjek me përpikëri udhëzimet e UEFA-s”, – përfundon komunikata për shtyp e organizmit që qeveris futbollin në Kosovë. Në fakt, në fund të muajit të kaluar, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi Paketën Fiskale Emergjente.
Përfitues i Paketës Emergjente, që do të jetë si ndihmesë për t’u përballur me pasojat e epidemisë së koronavirusit, është edhe sporti. Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) i janë ndarë 5 milionë euro buxhet për grante dhe subvencione për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore.
Ky 5-milionësh do të ndahet në 3 pjesë, kulturë, rini dhe sport. Ende nuk është përcaktuar se sa do t’i ketë në dispozicion sporti prej këtyre 5 milionë eurove të Paketës Emergjente. E paqartë është edhe kush do të jetë përfitues nga kjo pako. Drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj, ka thënë se pasi të bëhet alokimi i buxhetit, do të përcaktohet edhe vlera buxhetore për mbështetjen e organizatave sportive të licencuara në MKRS.