AlbanianSport.com 21/05/2020 20:55
ASNN – Ai është nga emrat më të lakuar të futbollistëve shqiptarë në merkaton kontinentale dhe të shumta kanë qenë hipotezat për destinacionin e mundshëm të tij. Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është një ndër sulmuesit më të kërkuar të momentit në merkato.
Fenerbahçe pagoi vetëm 3.5 milion euro vitin e shkuar për firmën e tij, ndërsa tani, ka mundësinë të shumëfishojë fitimet. Siç zbulojnë mediat turke, Fenerbahçe ka refuzuar një ofertë në janar nga klubi i Premier Ligës Angleze, Bërnli, pasi po pret oferta edhe më të kënaqshme ekonomikisht nga klube me më tepër potencial, si Lacio e Totenhemi.
Si kryeqytetasit italianë, ashtu dhe ata britanikë, janë të interesuar për sulmuesin e përfaqësueses dardane. Në verë, parashikohen oferta si nga Igli Tare, ashtu dhe Jose Mourinho dhe duke parë rivalitetin e lartë, këto oferta mund t’i kalojnë 20 milionë Eurot. Muriqi ka 28 ndeshje në kampionat dhe në Kupën e Turqisë, duke shënuar 15 gola dhe duke asistuar 6 herë.