AlbanianSport.com 11.11.2014 11:35
ASNN – Pas pranimit të përkohshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, një tjetër organizëm sportiv kosovar është drejt njohjes ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila mund të pranohet shumë shpejt në gjirin e Konfederatës Kontinentale Evropiane të këtij sporti, në FIBA Evropë.
Kështu, procesi i ndërkombëtarizimit dhe njohjes së sportit kosovar duket se ka marrë tashmë një tjetër ritëm. Kështu, Presidenti i FIBA Evropës, Turgaj Demirel, do të presë të mërkurën në një takim kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu.
Takimi mes Demirelit dhe Belegut i paraprin mbledhjes së anëtarëve të bordit qendror të FIBA Evropës, që mbahet të premten në Gjermani, ku mund të diskutohet edhe rreth çështjes së pranimit të Kosovës, pas anëtarësimit të saj në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
“FBK-ja këtyre ditëve ka intensifikuar kontaktet me zyrtarët më të lartë të FIBA-s dhe FIBA Evropës dhe po ashtu është njoftuar se Kosova do të jetë një prej pikave të rendit të ditës në mbledhjen e Bordit Qendror të FIBA Evropës”, – thuhet në njoftimin e organizmit që qeveris basketbollin kosovar.
“Ndërkohë, FBK-ja është në pritje të vendimit për pranim me të drejta të plota të Komitetit Olimpik Kombëtar në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mund të përgatisë aplikimin për anëtarësim në FIBA”, – përfundon njoftimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës.