AlbanianSport.com 15/02/2019 20:50
ASNN – Një shtatore për Fadil Vokrrin, Kuvendi i Kosovës e ka marrë vendimin, pritet vetëm ndërtimi i veprës. Një prej ikonave të futbollit shqiptar, më i madhi i futbollit në Kosovë, Fadil Vokrri, i ndarë nga jeta vitin e kaluar si pasojë e një ataku kardiak, do të ketë shtatoren e tij në hyrje të stadiumit kryesor që mban emrin e tij në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë.
Siç dihet, Kuvendi i Kosovës e ka dhënë tashmë miratimin për ngritjen e shtatores së ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës pranë stadiumit me të njëjtin emër dhe kjo shtatore do të vendoset me rastin e 1-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Autoritetet kosovare të sportit, veçmas federata e futbollit, po punojnë për këtë projekt dhe pas dhënies së autorizimit, mbetet vetëm që të realizohet vepra.
Për këtë dhe në lidhje me konkursin që do të zhvillohet për projektin ka folur dhe ministri kosovar i sportit, Kujtim Gashi. “Kemi marrë përsipër të realizojmë një projekt, – u shpreh ministri Gashi në lidhje me këtë temë, – i cili do të vërë në kujtesë themelet e një legjende siç ka qenë Fadil Vokrri. Shtatorja, e cila do të ndërtohet përbri stadiumit do të jetë një kujtim i përhershëm për kontributin e tij.”
“Ky projekt do të jetë një mirënjohje shtetërore për njeriun me të cilin identifikohet futbolli i Kosovës”, – shtoi ai. Megjithatë, gjasat që vepra të mbyllet brenda qershorit 2019 janë të vogla, pasi koha në dispozicion për të realizuar një vepër të denjë për ikonën e futbollit kosovar e atij shqiptar është e paktë. Por, organizatorët shpresojnë të realizohet një vepër cilësore në përputhje me figurën e lartë të ish-futbollistit të madh të Prishtinës, Fadil Vokrri.