AlbanianSport.com 28.12.2016 20:25
ASNN – Kuvendi i Kosovës miratoi sot Ligjin për “Parandalimin e Dhunës dhe të Dukurive të Tjera Negative në Sport”, me të cilin parashikohen masat për parandalimin e dhunës dhe sjelljeve jo të mira në ngjarjet sportive, detyrimet e organizatorit të ngjarjes sportive, si dhe kompetencat e organeve zyrtare për shqiptimin e masave për parandalim të këtyre dukurive. Po kështu, ky ligj trajton parandalimin e dukurive negative si trukimet e ndeshjeve sportive, që janë të dënueshme si dukuri negative në sport, dhe i favorizon vlerat e “fair play”-it (lojës së ndershme).
Ky ligj është në përputhshmëri të plotë me Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian (version i konsoliduar), GZ C 326/74, datë 26.10.2012, dhe është harmonizuar pjesërisht ne pjesët e aplikueshme për Republikën e Kosovës me Konventën Evropiane mbi Dhunën e Spektatorit dhe Sjelljen e Pahijshme në Ngjarjet sportive dhe në veçanti në Ndeshjet e Futbollit datë 1.11.1985 CETS, nr: 120. MKRS-ja vlerëson se me miratimin e këtij ligji, krijohen kushte për mënyrën e organizimit të ngjarjeve sportive sipas normave ndërkombëtare.
Ligji merr vlerë të veçantë duke ditur se Kosova tashëm është pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare sportive, prandaj nga në kërkohet përmbushja e standarde më të larta dhe konform normave ndërkombëtare. Po ashtu, me miratimin e këtij ligji, atij për Sponsorizime, akteve nënligjore, MKRS-ja gradualisht po plotëson legjislacionin e fushës së sportit, duke respektuar normat më të larta ndërkombëtare.