AlbanianSport.com 17/09/2018 17:55
ASNN – Shpëtim Duro është zyrtarizuar si trajner i Dritës së Gjilanit. Duro zëvendësoi te kampionët e Kosovës, Bekim Isufin. Një tjetër përvojë kjo jashtë Kategorisë Superiore të Shqipërisë për ish-trajnerin e Skënderbeut, Vllaznisë, Flamurtarit e Partizanit, pas asaj në Maqedoni me Shkëndijen e Tetovës. Në kampionatin e Kosovës, Duro gjen edhe kolegët e tjerë nga Shqipëria, Mirel Josën tek Prishtina dhe Gugash Maganin te Trepça.
Në fakt, futbolli kosovar po bën hapa para dhe duket se kanë gjetur një formulë që të krijojnë sa më shumë eksperiencë. Në dy edicionet e fundit ekipet kosovare kanë besuar se me ndihmën e trajnerëve shqiptar mund të rriten akoma dhe më shumë. I fundit që u transferua në Kosovë ishte Shpëtim Duro, por duket se mund të kemi një tjetër lëvizje në “Rrugën e Kombit”.
Mediat e Kosovës raporton se skuadra e Prishtinës ka kontaktuar ditën e diel me ish-trajnerin e Flamurtarit dhe të Laçit, Gentian Mezanin. Ka qenë vetë presidenti Remzi Ejupi që ka takuar trajnerin vlonjat, por duket paksa e çuditshme kur Mirel Josa vijon punën në krye të skuadrës kryeqytetase. Duket se situata nuk është aspak e mirë, pas rezultateve të fundit dhe aventura e Josës tek Prishtina po shkon drejt fundit.