AlbanianSport.com 10/06/2018 14:20
ASNN – Një delegacion i nivelit të lartë kryesuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me dy Zëvendëspresidentët Edvin Libohova e Lutfi Nuri, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, e drejtori administrativ Denis Bastari, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishi e Edmond Spahiu, si edhe zyrtarët e FSHF, Çela, Maçi e Tafaj ishin të pranishë, këtë të diel në mesditë në Prishtinë në ceremoninë homazh, dhe më pas, në dhënien e lamtumirës së fundit, Presidentit të Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri i cili u nda nga jeta një ditë më parë nga një atak kardiak.
Në hollin e Kuvendit të Kosovës, Presidenti Duka, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit të FSHF-së, përcollën ngushëllimet e tyre për familjarët e presidentit të ndjërë, miqte, të afërmit dhe kolegët e FFK-së. Pas vënies së kurorave, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në librin homazh përcolli mesazhin për mikun e tij që në mënyrë krejt të papritur e të parakohshme u nda dje nga jeta. Pak radhë në librin e lamtumirës për Vokrrin, që do të kujtohet gjatë për gjithçka ai dha në zhvillim të futbollit në Kosovë.
“Një moment shumë i trishtueshëm ky, – ishin këto fjalët e presidentit Duka për mediat vendase, pas ceremonisë homazh në hollin e Kuvendit të Kosovës. – Nuk e kisha menduar kurrë që do isha sot këtu në këtë ceremoni për mikun tim. Familja ka humbur njeriun e saj më të dashur, unë gjithashtu kam humbur një mik të shkëlqyer, shokët e miqtë nuk do të kenë më mes tyre fizikisht Fadilin. Komunikoja thuajse çdo ditë me Fadilin. Një njeri që jetonte me futbollin, jetonte me dashurinë për këtë sport dhe me idenë se çfarë mund të bënte akoma më mirë.”
“Ndihem thellësisht i trishtuar, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në Shqipëri. – Ende nuk arrij ta besoj. Brezat dhe gjeneratat do të kujtojnë gjatë veprën e tij për futbollin në Kosovë.” Më pas ceremoniali vijoi me një mbledhje komemorative në nder dhe kujtim të ish-presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, për t’u mbyllur me përcjelljen pasdite për në banesën e fundit.