AlbanianSport.com 18.02.2017 10:25
ASNN – Vendimi i UEFA-s për të dhënë leje që klubet kosovare të zhvillojnë ndeshje në Stadiumin “Adem Jashari” në kuadër të veprimtarive evropiane, është vlerësuar si një fitore e madhe për futbollin e Kosovës.
Madje, ai mund të vlerësohet edhe një dhuratë për 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Por, sipas mediave të Prishtinës, ky vendim nuk nënkupton kurrsesi se në stadiumin e Mitrovicës do të luhen me siguri ndeshje të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve apo asaj të Ligës së Evropës.
Kjo sepse duhet që, fillimisht, Stadiumi “Adem Jashari”, të përgatitet për të plotësuar kriteret e UEFA-s për stadiumet e kategorisë së dytë dhe duhet gjithashtu që klubet e Kosovës të licencohen për pjesëmarrje në kupa evropiane.
Kujtojmë këtu se, përtej pranimit që vjet në UEFA dhe FIFA, kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës nuk u lejuan të konkurrojnë në veprimtaritë kontinentale të sezonit aktual dhe një nga arsyet ishte infrastruktura.