AlbanianSport.com 03.02.2016 17:55
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi për shtyp mësohet se, Komisari i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ka vendosur që trajneri i “Golden Eagle” Ylli nga Suhareka, Agron Berisha, të dënohet përjetësisht në kryerjen e detyrës së trajnerit dhe detyrave tjera në sportin e basketbollit në kuadër të FBK-së. Vendimi vjen pasi Berisha kishte sulmuar të dielën gjyqtarin Xhelal Mumini, në takimin Trepça-Ylli në minutat e fundit të lojës, në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së 17-të të Superligës së Kosovës në Basketboll për Meshkuj.
Komisari i Garave ka bërë të ditur se vendimi është marrë duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve të ndeshjes dhe analizat e pamjeve filmike, si dhe në raportin e Policisë së Kosovës. “Agron Berisha ka ndjekur gjatë tërë fushës gjyqtarin, e ka goditur dhe ka tentuar më pas ta godasë edhe më tutje duke e përndjekur gjyqtarin Mumini deri në fund të sallës, ku është mbrojtur nga zyrtarë tjerë të ndeshjes që ndërhynë dhe i njëjti ka shpëtuar me më pak pasoja, – shkruhet në njoftimin e organizmit që qeveris koshin kosovar.
“Në këto momente trajneri Agron Berisha është përpjekur të godasë edhe më tutje gjyqtarin. Nga goditjet e Berishës, gjyqtari Mumini ka pësuar lëndime trupore, të konstatuara edhe nga mjeku kujdestar në Shtëpinë e shëndetit në Vushtrri”, – thuhet në njoftimin e FBK-së, duke shtuar se ky akt është i dënueshëm me aktet normative të këtij organizmi dhe është dëmtim i rëndë i imazhit të sportit të basketbollit në Kosovë dhe jashtë saj. FBK po ashtu ka njoftuar se ai ka mundësi të ankohet në shkallën e dytë në Komisionin Arbitrar.