AlbanianSport.com 31.01.2015 22:25
ASNN – Federata e Çiklizmit të Kosovës është federata më e fundit sportive që pranohet në organizmin botëror që qeveris këtë sport. Kjo njohje është në vazhdën e procesit të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, që është përshpejtuar ndjeshëm pas pranimit të saj me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Pranimi i Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, (IOC), ka shërbyer si katalizator i përshpejtimit të ndërkombëtarizimit të sportit të saj dhe organizmi më i fundit është Federata e Çiklizmit të Kosovës. Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, kjo Federatë është pranuar ditët e fundit me të drejta të përkohshme në Union Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).
Ky vendim është marrë nga Bordi Ekzekutiv i këtij organizmi, gjatë mbledhjes që u zhvillua të premten në Tabor të Republikës Çeke. Me këtë vendim, Kosovës i mundësohet pjesëmarrje në të gjitha veprimtaritë e UCI-së në pritje të vendimit për anëtarësim me të drejta të plota, kërkesë e cila do të shqyrtohet në Kongresin e UCI-së që do të mbahet në shtator të këtij viti.
Pas mundjes dhe karatesë, çiklizmi është sporti më i fundit i Kosovës që pranohet ndërkombëtarisht gjatë muajit të fundit, ndërsa një numër sportesh të tjera, të tilla si futbolli, basketbollit e të tjera, janë njohur në baza të përkohshme dhe njohja e tyre e plotë është thjesht çështje kohe.