AlbanianSport.com 20.08.2015 20:35
ASNN – Leart Paçarada ka marrë ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës, për ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos, të cilën pritet ekipi verdhekaltër ta zhvillojë në muajin shtator.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi aktual i lojtarit kosovar, Sandhausen, përmes faqes së tij zyrtare në Internet, duke treguar se lojtari do të lihet i lirë për disa ditë. Mbrojtësi i majtë ftohet në përfaqësuese për herë të dytë nga trajneri Albert Bunjaku.
Ai pritet të grumbullohet me ekipin më 2 shtator, ndërsa mund të ketë edhe minutazh, në duel me Burkina Fason. Për këtë ndeshje, ftesë zyrtare ka marrë edhe portieri i Prishtinës, Visar Bekaj.
Bunjaku është duke ua dërguar ftesat një nga një futbollistëve, në klubet përkatëse. Ekipi kosovar pritet të grumbullohet në ditët e para të shtatorit, kur edhe do të krijohet ideja e plotë për grupin e lojtarëve në dispozicion.