AlbanianSport.com 30.03.2015 17:10
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, thotë se ekipi i tij në dy ndeshjet kundër skuadrave të Bundesligës gjermane, Eintrahtin e Frankfurtit dhe Verder Bremenin, ka treguar më tepër se ç’e kishte pritur.
Në ndeshjen e parë, të zhvilluar të martën e kaluar, Kosova barazoi pa gola kundër Eintrahtit të Frankfurtit, kurse të premten u mund nga Verder Bremeni, me rezultatin 2-0.
Por, ndryshe mendojnë trajnerët e futbollit, Gani Sejdiu e Ramiz Krasniqi. Sejdiu e Krasniqi thonë se përfaqësuesja e Kosovës në këtë fazë nuk duhej të pësonte disfatë e aq më pak kundër Verder Bremenit, që në këtë ndeshje u paraqit me disa lojtarë që garojnë në Ligën Rajonale të Gjermanisë.
Verderit i munguan 9 lojtarë të ekipit bazë, të cilët kanë qenë të grumbulluar në përfaqësueset e shteteve të tyre. “Kanë qenë dy ndeshjet më të mira tonat të zhvilluara deri tani”, – ka thënë Bunjaku të dielën për gazetën “Koha Ditore”.
“Ka qenë nivel i lartë i grupit dhe mendoj se është rritur konkurrenca, – ka vijuar ai. – Kemi nxjerrë më tepër se që kemi menduar, duke pasur parasysh se kemi tetë lojtarë të rinj dhe luajtëm kundër dy skuadrave të Bundesligës.”
“Kemi patur mundësi edhe të fitojmë”, – ka shtuar Bunjaku për të përditshmen në fjalë. Trajneri ngul këmbë se Kosova ka bërë një paraqitje të mirë kundër dy skuadrave dhe ai ka patur fjalë të mira për të gjitha repartet.