AlbanianSport.com 22.05.2015 08:10
ASNN – Klubi i Basketbollit “Peja” është përjashtuar nga Superliga e Kosovës për meshkuj. Komisioni disiplinor i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka aprovuar propozimin e komisarit të garave për të përjashtuar klubin pejan, pasi nuk u shfaq në fushë për të luajtur pjesën e mbetur të finales së tretë ndaj Prishtinës.
Klubi pejan është gjobitur edhe me 2 mijë euro ndërsa përfaqësuesi zyrtar i Pejës, Gazmend Pupovci është pezulluar për një vit me ndalim të ushtrimit të detyrës. Ndërkohë, Komisari i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës të martën vendosi që SIGAL Prishtina të shpallet kampion i ETC Superligës.
Duhet theksuar se vendimin për të lënë ndeshjen e morën zyrtarët e Pejës, që pretenduan se tifozët vendas të SIGAL Prishtinës kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.