AlbanianSport.com 02.04.2016 14:25
ASNN – Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) po shpreson që deri në fund të muajit prill të sigurojë të paktën një normë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Shpresat më të mëdha, FBOXK-ja i ka te boksieri më i mirë i Kosovës, Armend Xhoxhaj që konkurron në kategorinë e peshës trupore deri në 91 kilogramë, shkruan e përditshmja e mirënjohur, “Koha Ditore.
Xhoxhaj së bashku me boksierin tjetër, Violant Sylejmani do të paraqiten në turneun e fundit eliminator për Evropë, që do të mbahet në Samsun të Turqisë, nga data 9, deri më 18 prill 2016. Tri vendet e para të secilës kategori sigurojnë normën për Rio De Zhaneiro. Boksierët kosovarë po përgatiten prej kohësh, por ato finale i kanë nisur më 18 mars 2016.
Për një javë janë përgatitur në Shkodër, kurse tash po përgatiten në Durrës, ku do të qëndrojnë derisa të nisen për Turqi. “Fillimisht përgatitjet i kemi nisur në Shkodër për t’i vazhduar në Durrës, në mënyrë që të shkojmë maksimalisht të përgatitur në turneun që do të mbahet në Turqi”, – është shprehur Xhoxhaj.
“Në Shkodër kemi stërvitur me përfaqësuesen e Shqipërisë dhe kemi pasur “sparingje” të përbashkëta, kurse tashmë jemi në Durrës për shkak se duhet të adaptohemi me klimën bregdetare, pasi turneu mbahet në qytetin bregdetar të Samsunit”,- ka përfunduar Xhoxhaj, i cili është optimist se do të arrijë normën për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike, pasi ëndrra e tij është ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje….