AlbanianSport.com 26/11/2018 14:35
ASNN – Kosova thyen tjetër rekord, ka lojtarin e tretë më të shpejtë të Ligës së Kombeve në futboll. Përfaqësuesja e Kosovës shënoi një sukses të rëndësishëm në Ligën D të Ligës së Kombeve, pasi zuri vendin e parë në grupin e tretë, një sukses që jep shpresë për këtë skuadër të pretendojë pikërisht nga kjo veprimtari një vend në finalet e ardhshme të Kampionatit Evropian.
Në fitoren e fundit në grup, atë 4-0 ndaj Azerbajxhanit, spikati në veçanti sulmuesi Arbër Zeneli, i cili realizoi 3 gola dhe ishte në formacionin më të mirë të Ligës D për këtë tur të fundit ndeshjesh. Padyshim, golat e tij ndihmuan Kosovën të thyejë një rekord në Ligën e Kombeve, sepse ishte skuadra që shënoi më shumë gola, plot 16 gola në 6 ndeshje, si asnjë skuadër tjetër pjesëmarrëse në këtë format të ri të UEFA-s.
Por këto nuk ishin rekordet e vetme për përfaqësuesen e Kosovës, sepse pikërisht sulmusi Arbër Zeneli ishte një rekord më vete sa i takon shpejtësisë. Zeneli konfirmohet nga statistikat e UEFA-s, si lojtari i tretë më i shpejtë i Ligës së Kombeve, pas emrave më të spikatur sot në futbollin evropian, si Kilian Mbape i Francës dhe Lëroi Sane i Gjermanisë. 38.9 km/orë, kjo shpejtësia që ka regjistruar sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës në këtë veprimtarie.
Dhe lajmin e bujshëm e dha vetë zv/trajneri i skuadrës, Thomas Riçards. “Tani e dimë se çfarë kapaciteti kanë lojtarët, -ka thënë ai. – U kemi vendos Sistem të Pozicionimit Global, “GPS”, në veshjet e tyre dhe jemi të informuar për shumë të dhëna. Është interesante se Arbër Zeneli ka bërë një ndër vrapimet më të shpejta në garat e Ligës së Kombeve.”
“Ai arriti shpejtësinë prej 38.9 km/orë dhe vetëm Kilian Mbape i Francës dhe Lëroi Sane i Gjermanisë ishin më të shpejtë se ai”, – theksoi Riçards për emisionin “2-1”