AlbanianSport.com 20.04.2015 17:35
ASNN – Alvin Karaqi e dëshiron shumë një medalje nga Lojërat e para Evropiane, që në muajin qershor do të mbahen në Baku të Azerbajxhanit.
Karateisti Karaqi po jep maksimumin që të përgatitet si duhet për këtë ngjarje të madhe sportive.
Por 22-vjeçari nuk premton se do të fitojë medalje, nuk premton asgjë sa i takon vendit apo bilancit në edicionin e parë të Lojërave Evropiane.
Për Karaqin është privilegj vetë pjesëmarrja në Lojëra Evropiane, por me normë të arritur, si pak sportistë kosovarë.
Në Baku pritet të jenë rreth 20 sportistë nga Kosova, por, veçmas Karaqit, deri më tani normën e kanë fituar vetëm edhe tri xhudiste.
Sipas asaj që shkruan e përditshmje e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore” ka pak gjasa që lista e sportistëve që fitojnë normë për Lojëra Evropiane të rritet.
Karaqi e di që në “Baku 2015” nuk do të jetë favorit për medalje, por ky fakt nuk e frikëson aspak.
“Unë po përgatitem, por në Baku do të jetë vështirë”, – ka thënë Karaqi në një bisedë për të përditshmen kosovare në fjalë.
Ai flet ngadalë dhe në pamje të parë nuk jep përshtypjen e një sportisti që merr e jep goditje, një sportisti me suksese gjithnjë e më të mëdha në sportin më masiv luftarak.