AlbanianSport.com 10.01.2016 20:35
ASNN – Pas tre vitesh e gjysmë, futbollistja shqiptare me pasaportë suedeze, Kosovare Asllani, ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën para kohe, me klubin francez, Paris SG-në.
Asllani është autore e 45 golave në 78 ndeshje, duke qenë njëra nga lojtaret më të mira në klubin më të njohur francez. Por, duket se ajo ka marrë vendim që pas tre vjetësh të kërkojë një sfidë të re.
Futbollistja e përfaqësueses suedeze të femrave ka falënderuar klubin parizien dhe tifozët për gjithë mbështetjen që ia kanë dhënë asaj që nga mbërritja në kryeqytetin e Francës.
E njohur edhe si njëra nga futbollistet më të bukura në botë, për mediat suedeze ka deklaruar se kohët e fundit nuk ka mundur të japë maksimumin për shkak të dëmtimeve të shpeshta.
Për këtë arsye, ajo ka vendosur të kërkojë ambient të ri dhe, sipas mediave suedeze, ajo dëshiron që karrierën e saj ta vazhdojë në kampionatin suedez të futbollit të femrave.