AlbanianSport.com 04/10/2021 23:55
ASNN – Trajneri i Kosovës flet në nisje të përgatitjeve për dy sfidat e tetorit. Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Shalondë, ka thënë të hënën se ndeshja me Suedinë do të jetë shumë e vështirë duke i njohur cilësitë e këtij ekipi. “Tani duhet të shkojmë në Suedi, dhe Suedia është një ekip shumë i fortë dhe kundërshtar tejet i vështirë, – ka thënë ai fillimisht. – E kemi parë Suedinë në “Euro 2020” ku i ka shkaktuar probleme çdo kundërshtari. Është një kundërshtar që luan futboll të fortë dhe me lojë fizike ia pamundëson kundërshtarit të aplikojë lojën e tij. Por, ne duhet të tregojmë veten edhe në këtë ndeshje.”
“Po ashtu duhet të provojmë që kur kemi topin në posedim, të bëjmë lëvizjet e duhura, – ka vijuar Shalondë. – Të tentojmë ta rrezikojmë Suedinë dhe nëse dalim në situata kundër Spanjës, të arrijmë të shënojmë. Por, në përgjithësi na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër një kundërshtari të fortë.” Trajneri zviceran është shpehur megjithatë tejet i kënaqur me tri paraqitjet e Kosovës në ndeshjet e shtatorit. “Kujtoni në shtator kemi nisur me slogan të ri për ndërrimin e mendësisë, pastaj kishim 3 ndeshje, mund të them 3 ndeshje të mira, – ka theksuar 70-vjeçari. – E para kundër Gjeorgjisë, ndeshje e vështirë por dëshmuam se kishim ndryshuar mendësi.”
“Kemi luftuar, punuar së bashku si ekip dhe mendoj se kjo ishte pikënisja e ndërrimit të mendësisë, – ka vijuar ai. – Më njihni, për mua të luftojmë, të vrapojmë, të kthehemi, të luajmë si ekip është shumë e rëndësishme, si taktikisht, si me posedimin e topit. Në ndeshjen e dytë, kundër Greqisë, i kemi përzier të gjitha këto dhe në fund, ekipi e meritoi barazimin. Ishte një ndeshje e luajtur me mentalitet dhe futboll të mirë. Dhe, ndeshja e fundit kundër Spanjës, mbase nuk pajtoheni, por për mua ishte ndeshja më e mirë prej se jam në krye të Kosovës.
“Sepse kemi luajtur kundër ekipit më të mirë në botë dhe patëm paraqitje fantastike duke i ndërthurur të gjitha cilësitë tona si ekip, – ka këmbëngulur Shalondë. – Me një fjalë, kemi luajtur futboll, si taktikisht ashtu edhe në mbrojtje. Kishim mundësi shënimi dhe jemi mbrojtur shumë mirë. E kam shikuar ndeshjen disa herë dhe jemi ekipi që kemi pasur më shumë raste shënimi se Spanja dhe për mua kjo është një tregues së kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë. Por, për fat te keq, nuk e kemi arritur shënimin e golit dhe për këtë ndihem paska i dëshpëruar, sidomos për futbollistët”.
Shalondë u pyet edhe pse nuk bëri asnjë zëvendësim ndaj Spanjës, duke thënë se zgjedhjet ishin të kufizuara. “Ndaj Spanjës, mundësit për zgjedhje në sulm ishin të kufizuara dhe e di që ka pasur kritika dhe reagime, – ka pohuar ai. – Por, unë kam qenë i kënaqur me atë që tregonin lojtarët në fushë dhe për këtë arsye kam vendosur që mos të bëjë zëvendësime. Tani me Suedinë, kemi më shumë mundësi për zgjedhje sesa ndaj Spanjës, pasi tani e kemi edhe Tomi Domgjonin që e kemi shtuar.”
“Do të shohim se si do të shkojnë gjërat, – ka thënë në mbyllje trajneri i Kosovës. – Po ashtu gjithmonë do të mundohemi të afrojmë lojtarë të rinj, pasi tani e kemi marrë Domgjonin. Por, dera e ekipit është e hapur për të gjithë, por askush nuk mund ta llogarit se vendin e ka të siguruar deri në fund të karrierës së tij, pasi zgjedhjet bëhen bazuar në formën e tyre.” Kosova do të luajë kundër Suedisë më 9 tetor 2021, ndërsa pas tri ditësh pret Gjeorgjinë në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës në takimet e vlefshme për grupin B të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.