AlbanianSport.com 09/10/2021 20:55
ASNN – Suedia ka forcuar pozitat e saj në vendin e dytë të renditjes së grupit B të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, teksa pasditen e së shtunës, në Solna, ka mundur 3-0 Kosovën. Është një përsëritje e rezultatit të ndeshjes së parë, të luajtur në Prishtinë pasi nordikët thuajse e kanë kontrolluar nga fillimi deri në fund ndeshjen e luajtur në kryeqytetin suedez.
Portieri Muriç ka qenë barrikadë për nordikët, por deri në një farë mënyre, sepse i vetëm nuk mund të ndalte furinë e Suedisë. Forsberg nuk gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe me shumë qetësi e ka kthyer goditjen në gol në mesin e pjesës së parë. Suedezët godasin shtyllën me Augustinsonin, kurse Bytyçi është frenuar nga Olseni. Pjesa e dytë ka nisur me goditjen e Rashanit, që pritet nga Olsen.
E më pas Muriçi frenon Isakun në minutën e 49-të, Kulusevksin në të 58-ën, Isakun dhe Forsbergun në të 61-ën. Por nuk mund të bëjë asgjë një minutë më pas, me atë goditje fantastike të Isakut, që ka përfunduar në rrjetë, në krahun e majtë të portës së Kosovës.
2-0 dhe Suedia gjen qetësinë, ndërsa mbyll gjithçka me Kuaison në minutën e 78-tën. Përfundimisht 3-0 dhe 12 pikë për Suedinë dhe vetëm 4 pikë për Kosovën, e cila të mërkurën në ora 20:45 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës pret Gjeorgjinë me shpresën për të gjetur fitoren e dytë në këto Eliminatore, një fushatë që mund të cilësohet tanimë e dështuar.