AlbanianSport.com 11/11/2020 20:40
ASNN – Ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili qëndroi në stol në mungesë të trajnerit Bernard Shalondë, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ishte nën trysninë e rezultatit në miqësoren me Shqipërinë, ndërsa është shprehur mjaft i kënaqur me paraqitjen e Betim Fazlijit. Mbrojtësi i St. Galenit ka debutuar për Kosovën të mërkurën në miqësoren që Kosova e humbi me rezultatin 1-2 ndaj Shqipërisë.
Ai luajti gjatë gjithë ndeshjes. “Me Fazlijin jemi jashtëzakonisht të kënaqur, pati një paraqitje pozitive pas vetëm dy stërvitjeve me ne, – ka deklaruar nr. 2 i stolit të “Dardanëve”. – Sigurisht që është rezultat negativ kur humb. E nisëm keq, në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, ishim pa ritëm, pa intensitet dhe pa dëshirë. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, por nuk mjaftoi për të bërë diçka më shumë.”
“Tek lojtarët nuk ka pasur ngarkesë që të fitohet ndeshja, pasi këtu kemi dashur të provojmë edhe disa nga lojtarët që nuk kanë pasur minutazh të madh, – ka vijuar Sahiti. – Shqipëria është një ekip i mirë, me mbrojtje të fortë. Ne luajtëm me gabime dhe lejuam shumë hapësira.” Ndihmëstrajneri e ka drejtuar Kosovën në këtë ndeshje, pasi është konfirmuar në mëngjesin e ndeshjes se trajneri Bernard Shalondë është infektuar me virusin korona.
“Gjendja shëndetësore e Shalondit është e mirë, nuk ka simptoma, – ka zbuluar ndihmësi i zviceranit. – Para ndeshjes me Slloveninë do të bëhet testi dhe të shohim. Urojmë të rezultojë negativ dhe të jetë pjesë e ekipit, sepse mungesa e tij fizike po ndikon. Shpresoj të jetë në stol në dy ndeshjet e radhës.” Në dy takimet e fundit, Kosova përballet me Slloveninë dhe Moldavinë në grupin e 3-të të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës.